Nuk pushojnë akuzat e ndërsjella mes LDSM-së dhe VMRO-së rreth projektit "Shkupi 2014". Pas kërkesës së opozitës për ndjekjen penale të ministres së Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska, për shkak të abuzimeve me projektin e diskutueshëm, LSDM-ja sot kujtoi se vetëm për ndërtesën e Teatrit të Vjetër, janë shpenzuar madje 6 herë e gjysmë më shumë para, se sa shuma e planifikuar fillimisht.
"Ky objekt fillimisht u njoftua se do të kushtonte 6 milionë euro. Por, vlera e tij, përkatësisht paratë e shpenzuara të popullit, si dhe për objektet e tjera të këtij projekti të pushtetit, është rritur disa herë. Së bashku me të gjitha anekset, kontratat për punimet e parashikuara dhe të pa-parashikuara të objektit "Teatri i Vjetër", deri më sot, qytetarëve iu ka kushtuar 39 milionë euro të pabesueshëm. Imagjinoni, madje gjashtë herë e gjysmë më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht vlera e tij. Sipas të dhënave, në dispozicion të Byrosë për prokurime publike, për këtë objekt, përveç kontratës themelore janë lidhur edhe 40 kontrata shtesë ose anekse-kontratash në vlerën e 33 milionë eurove të tjera. Nëse shikoni se përse janë lidhur ato kontrata, del se pushteti ka dashur të ndërtojë teatër, por nuk ka parashikuar që në teatër të ketë mobile, pajisje të brendshme, ndriçim, perde për hapësirën skenike etj", deklaroi Petre Shilegov, LSDM. Alsat-M