Emrat e ndryshuar në katër shkollat Fillore në Komunnë të Çairit mbeten vetëm në tabelë, por jo edhe në dokumente zyrtare. Nxënësit e këtyre shkollave edhe më tej dëftesat dhe gjitha dokumentet tjera i marrin me emrat e vjetër të shkollave. Ministri i arsimit dhe shkencës Spiro Ristovski tha sot se bëhet fjalë për çështje shumë të ndjeshme, andaj zgjidhja e problemit kërkon kohë më të gjatë deri në arritjen e përgjigjes përfundimtare.
"Problemi me ndryshimin e emrave të shkollave në komunën e Çairit akoma është në gjendje status quo, ne po bisedojmë por akoma nuk kemi zgjidhje finale të problemit. Unë pres të gjejmë zgjidhje por nuk dëshiroj të jap një afat të caktuar për shkak se të gjithë e dini se bëhet fjalë për një çështje shumë të ndjeshme që në një fazë dhe periudhë të kaluar ngriti reagime negative te dy bashkësitë etnike kështu që nuk dëshiroj të spekuloj me afate se kur do të zgjidhet", deklaroi Spiro Ristevski, ministër i arsimit.
Një muaj më parë kryetari i Çairit Izet Mexhiti ishte deklaruar se janë duke u zhvilluar negociata intensive me ministrin e arsimit për zgjidhjen e problemit me emrat e katër shkollave fillore në këtë komunë, duke shtuar se argumentet janë në anën e komunës së Çairit.
"Unë vërtetoj që ka komunikim dhe atë që edhe njëherë dua ta potencoj është që argumentet janë në anën tonë bëhet fjalë për shkolla ku 99% janë nxënës shqiptarë, arsimtar shqiptar, prindër shqiptar, drejtor shqiptar, lagje shqiptare pra argumentet janë krejtësisht në anën tonë, e drejta ligjore është në anën tonë", deklaroi Izet Mexhiti -- kryetar i Komunës së Çairit.
Ndryshe nxënësit e shkollave fillore, 'Imri Elezi', 'Ismail Qemali', 'Hasan Prishtina', 'Jashar Bej Shkupi' në Komunën e Çairit fund vitin e kaluar dëftesat i morën me emrat e vjetër të tyre Nikolla Vapcarov, Rajko Zhinzifov, Cvetan Dimov dhe Jane Sandanski. Melihate Rustemi