Tokat bujqësore të fermerëve të Maliqit rrezikojnë edhe këtë vit të përmbyten nga reshjet intensive. Sipas fermerëve shkak është bërë mungesa e investimeve në kanalet kulluese.
Por krejt të kundërtën pohon drejtori i Bordit të Kullimit për qarkun e Korçës, Jetnor Hysolli, i cili thotë se janë pastruar të gjithë kanalet kulluese në fushën e Maliqit dhe për këtë ai garanton se nuk do të ketë toka të përmbytura këtë vit.
Fusha e Maliqit çdo vit ka shfaqur probleme sidomos në sezonin e shirave, ku me qindra hektare tokë janë përmbytur nga niveli i ujit.
Një situatë e tillë rrezikon të përsëritet edhe këtë vit pasi shumica e kanaleve kulluese nuk janë pastruar me përjashtim të lumit të Devollit, ndërsa situatë më kaotike paraqitet tek "Pylli i fazanëve".