Dritë jeshile iniciativës për paraburgim

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Nisma e LSDM-së për debat mbikëqyrës rreth prezumimit të pafajësisë dhe masës së paraburgimit mori dritën jeshile nga anëtarët e Komisionit për sistem politik. Gjatë shqyrtimit të kësaj nisme Vesna Bendevska nga LSDM-ja theksoi se prezumimi i pafajësisë po shkelet në masë të madhe, edhe pse bëhet fjalë për një të drejtë të garantuar me kushtetutë. Sipas saj, paraburgimi po shfrytëzohet si vegël e pushtetit ndaj atyre që mendojnë ndryshe! Ndërkohë nga VMRO DPMNE-ja, ndonëse mbështesin nismën, kërkojnë që Kuvendi të mos vihet mbi pushtetin gjyqësor.

"Askush në bazë të kushtetutës nuk mund të shpallet fajtor para se procesi gjyqësor të bëhet i plotfuqishëm. Kushtetuta parashikon gjithashtu 180 ditë si afat kur një person mund të qëndroj në paraburgim. Në Republikën e Maqedonisë ekzistojnë raste kur kohëzgjatja e paraburgimit shkelet në rekord botëror. Ne akoma kemi persona që qëndrojnë nga 1-2 vjet në paraburgim", deklaroi Vesna Bendevska, LSDM.

"Do të kujtoj se instrument i vetëm përmes të cilit kuvendi mundet të ndikojë ndaj pushtetit gjyqësor, është ndryshimi i ligjeve. Pra, kuvendi nuk mundet dhe nuk guxon të jap kahe, apo ta urdhërojë pushtetin gjyqësor. Në rast se Kuvendi e bënë atë, atëherë në të njëjtin moment, ne si deputet e kemi varrosur kushtetutën e vendit dhe kemi shkelur të gjitha dispozitat që garantojnë ndarjen e pushtetit. Për këtë shkak apeloj që të mos e shndërrojmë parlamentin në një huazo-gjykatë dhe të mos e shndërrojmë kuvendin si gjykatë ndaj të gjitha gjykatave", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Nisma u mbështet edhe nga BDI-ja e Ahmetit, të cilët vlerësojmë se çështja e paraburgimit dhe e prezumimit të pafajësisë janë çështje që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat e njeriut.

"Janë të drejta fundamentale të të drejtave të njeriut të garantuara me konventën evropiane, të garantuara me Kushtetutën e RM-së dhe të garantuara me ligjet e RM-së. Këtë debat ne e mbështesim dhe presim që nga debati mbikëqyrës të krijohet një pasqyrë më reale për nivelin e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut", tha Suzana Saliu, BDI.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, debati mbikëqyrës duhet të zhvillohet pas 15 ditësh. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form