Një familje në lagjen "Shelg", nr. 4 në Cerrik prej 4 vitesh jeton me frikën se dhunohet dhe kërcënohet nga fqinja e saj, e cila vuan nga probleme mendore.
Ata thonë se gruaja dhunon pjesëtarët e familjes Salla, sapo i shikon në rrugë, madje sipas tyre ata kanë përfunduar edhe në spital pasi janë goditur me gurë.
Familjarët ankohen se ky rast është denoncuar disa herë në komisariatin e policisë, por atyre u është sqaruar se arrestimi i saj nuk është i mundur, pasi mungojnë ambjente të përshtatshme për personat me të meta mendore.
Familja Salla kërkon ndihmë jo vetëm nga policia, por edhe nga drejtësia shqiptare, pasi dhuna e vazhdueshme psikologjike dhe ajo fizike e ushtruar nga fqinja e tyre, nuk i lejon ata të bëjnë një jetë normale.