Shoqata e ambientalistëve shqiptarë ka zhvilluar sot një protestë para selisë së kryeministrisë kundër sjelljes së armeve kimike të Sirisë në Shqipëri për t'u shkatërruar.
Protestuesit kanë ngritur zërin me thirrjet "Duam të jetojmë", për moslejimin e shkatërrimit të këtyre armëve në vendin tonë, pasi kjo përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve. Në fjalën e tij, Sazan Guri tha se "Jemi kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri. Shëndeti i familjeve është i rëndësishëm. Shqipëria nuk është kosh plehrash i Europës".
Ndërsa, aktivistja siriane në Shqipëri tha se "Edhe une jam kundër ardhjes së armëve kimike këtu. Kam ardhur si shqiptare, jo si siriane, jam me ju".
Analisti Mustafa Nano u ndal tek premtimet e qeverisë së sotme gjatë fushatës elektorale për moslejimin e importit të mbetjeve në vendin tonë. "Unë nuk e kuptoj pse Shqipëria", tha Nano.
"Përpara zgjedhjeve, opozita e atëhershme që sot është mazhorancë, ngriti zërin kundër importiti të mbetjeve dhe është logjikë e çmendur të na kërkojnë të pranojmë mbetje kimike", shtoi Mustafa Nano.
Ndërsa, gazetarja e "Shqiptarja.com", Magdalena Alla, gjatë kësaj proteste ngriti zërin për më shumë ndërgjegjësim të faktorit politik, por dhe atij qytetar, për të mos lejuar importin e armëve kimike në Shqipëri.