Shqiptarët vazhdojnë të jenë të pa përfaqësuar në njësitin special të ARM-së 'UJQIT' si dhe në shumë fusha të tjera të mbrojtjes. Siç mëson ALSAT-M shqiptarët në këtë njësit janë përfaqësuar me 0 %. Tek 'UJQIT' deri tani nuk është angazhuar asnjë ushtar shqiptar i ARM-së. Televizioni ALSAT-M sot tentoi të marrë përgjigje nga Ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi, por ai ishte i pakapshëm. Ndërkohë ne arritëm të kontaktojmë me njërin nga anëtarët e kabinetit të tij, Blerim Ukallin. Ai thjesht u përgjigj shkurt se ministri Xhaferi dhe ekipi i tij gjenden për vizitë zyrtare në Mal të Zi! Kujtojmë opinionin se edhe ky zyrtar i BDI-së nuk iu përgjigj kërkesës sonë për informim lidhur me çështjet me interes për opinionin shqiptar në vend edhe pse një javë më parë kryetari i tij Ali Ahmeti, porositi mediat që të kontaktojnë sa më shpesh zyrtarët e kësaj partie, përfshirë këtu edhe Talat Xhaferrin. Sipas informatave që siguroi Alsat, njësiti "UJQIT" nuk ka asnjë shqiptar, njësiti 'Renxherët' ka disa shqiptarë ndërsa për njësitin 'Skorpionët' është e pamundur të sigurohen informata, pasi të gjithë këta njësite konsiderohen si struktura sigurie, informatat rreth të së cilëve janë konfidenciale. Njësitet elitare të ARM-së u formuan gjatë viteve 1993-1994. Mungesa e besimit dhe injoranca e vazhdueshme ka lënë jashtë të rinjtë shqiptarë. Dy ditë më parë ALSAT-M informoi edhe rreth njësiti special policor 'Tigrat' i cili, sikurse edhe njësiti 'UJQIT' që operon në Mbrojtje, vazhdon të mbetet i mbyllur për shqiptarët. Përfaqësimi i shqiptarëve në këto forca elitare policore është 0%. Valmir Kuçi