Rreth incidentit të mbrëmshëm në fshatin Stajkovcë kanë reaguar edhe partitë politike. Partia shqiptare në pushtet BDI ka apeluar për uljen e tensioneve dhe ndalimin e incidenteve të tilla. Artan Grubi nga BDI kërkoi nga Ministria e Brendshme reagim më energjik dhe zbardhjen e rasteve.
"BDI i dënon ashpër të gjitha incidentet midis të rinjve që po ndodhin në oborret shkollore, nëpër autobusë, si dhe në ndeshjet sportive, dhe ftojmë MPB-në që në mënyrë energjike të angazhohet për zbardhjen e këtyre rasteve si dhe të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për incidentet midis rinisë në Shkup. Konsiderojmë se incidentet e tilla janë të patolerueshme dhe duhet tu vihet fund njëherë e përgjithmonë, por përgjegjësinë e vetë duhet ta mbajë edhe Ministria e Punëve të Brendshme", tha Artan Grubi, BDI.
LSDM-ja opozitare dyshon se incidentet e tilla janë të motivuara politikisht, me qëllim të defokusimit të opinionit nga çështjet e tjera me rëndësi për shtetin. Edhe partia e Zaevit theksoi se në masë të madhe, përgjegjësia për incidentet e tilla qëndron në mos efikasitetin e policisë.
"Incidenti i mbrëmshëm në autobusë, ku u lënduan udhëtarë, shumica fëmijë, janë rezultat i politikave të ndarjeve dhe konflikteve në shoqëri, që janë vepër e kësaj strukture qeverisëse. Për më tepër, guximin për incidente të tilla, autorët e marrin nga mos efikasiteti i MPB-së të preventojë situata të tilla, sepse në pjesën më të madhe të incidenteve të tilla autorët nuk gjenden, ose kalojnë pa dënime. Pas rastit të djeshëm hapet dilema nëse incidentet në autobusët janë të nxitura nga motive të tjera, me qëllim të defokusimit të opinionit nga gjendja reale në Maqedoni", deklaroi Petre Shilegov, LSDM.
Incidentet i ka dënuar edhe Ministri i Arsimit Spiro Ristovski. Ai tha se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e shkollave, dhe nga policia është kërkuar ndihma e nevojshme. Në pjesën më të madhe të incidenteve të tilla, ashtu si në incidentin e mbrëmshëm, viktimat zakonisht janë nxënës të shkollave të mesme dhe fillore. Benjamin Arifi