Armët kimike, të rinjtë dhanë leksion demokracie

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Aleanca Kundër Importit të Plehrave u shpreh krenare për të rinjtë shqiptarë që i dhanë botës një leksion demokracie, duke protestuan kundër asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në territorin e Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, në Tiranë, kjo aleancë vlerëson se shqiptarët bënë zgjedhjen e duhur, duke i thënë jo armëve kimike.

"Kjo fitore nuk arriti një standard të larte demokracie vetëm për dëgjimin e zërit të qytetarëve por edhe për herë të parë në 20 vjet protestuesit shqiptar u ndjenë të pa terrorizuar dhe të kërcënuar në sheshet e tyre. Kauza e AKIP nuk mbaron këtu ne do jemi gjithmonë Rojtar të çështjeve publike në mbrojtje të interesit publik....Edhe në momente të tentativës për pengmarrje nga liderë dhe politikanë të partive të ndryshme, ishin protestuesit ata që treguan kurajën qytetare për të mbajtur ndoshta për herë të parë në Shqipëri një model proteste civile të atij niveli", tha Aleanca Kundër Importit të Plehrave.

Pasditen e djeshme Kryeministri Edi Rama, duke dëgjuar thirrjen qytetare të mijëra protestuesve të cilët qëndruan për tre ditë e net në sheshin para kryeministrisë, tha se Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në operacionin e shkatërrimit të armëve siriane, edhe pse garantoi se Shqipëria do të kishte dalë e fituar dhe më e pastër nga kjo marrëveshje.

"Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion", u shpreh Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Pas këtij vendimi, ambasada amerikane në Tiranë tha se "e respekton vendimin e Kryeministrit.

"Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurt. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike", - thuhej në reagimin e ambasadës amerikane. Edhe zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi Jan Psaki garantoi gjithashtu se vendimi i Shqipërisë nuk do ndikojë në marrëdhëniet që kanë dy shtetet. Po mbrëmë, Mbikëqyrësi Global i Armëve Kimike miratoi planin formal për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Nuk jepen detaje, por SHBA-ja dhe OKB-ja thonë se janë të angazhuara që shkatërrimi i arsenalit të bëhet brenda afatit kohor që është rënë dakord me Rusinë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form