KUKËS - Kontrolli i Lartë i Shtetit ka detyruar qindra familje, të personave me aftësi të kufizuar që të shlyejnë cdo qindarkë që i detyrohen bashkisë së Kukësit që nuk i paguanin që nga viti 2010. Faktin e ka bërë të ditur vetë drejtori i të ardhurave në këtë bashki Pajtim Duraku i cili shton se kjo nuk është e përcaktuar në ligj, por se bashkia është e detyruar që të zbatojë rekomandimin e lënë nga ekspertët e KLSH-së.
"Në ato familje që nuk kanë paguar akoma taksa ne kishim kategorinë e kryefamiljarëve, sepse duhet të cilësojmë që taksa ndalohet për kryefamiljarët, e kësaj kategorie që ne i kemi trajtuar me bazueshmëri ligjore me statusin e invalidit të punës dhe statusin e të verbërve. Ne nuk kemi ndaluar taksa për këto kryefamiljarë deri tani, por kjo nuk është pranuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi këto dy ligje janë fiktive dhe nuk është se nuk pranohen", tha drejtori i të ardhurave në bashki, Pajtim Duraku.
Në bashkinë e Kukësit taksa që një kryefamiljar duhet të shlyejë për gjelbërimin, pastrimin dhe ruajtjen e ambjentit arrin në 1500 lekë të reja. Këtë taksë e paguajnë më shumë se 5 mijë familje që janë aktualisht në këtë qytet, ndërkohë që nuk e paguanin prej vitesh më shumë se 250 familje, të cilët I përkasin shtresës së personave më aftësi të kufizuar. Ky ndryshim I papritur pritet që të prekë ndjeshëm ekonomitë familjare të këtyre personave të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike.Në të njëjtën linjë do të ecin edhe njësitë e tjera vendore, te Kukësit, tek të cilat numërohen më shumë se 3300 familje. Vetëm pak ditë më parë, këtë vendim të KLSH-së e kanë kundërshtuar edhe shoqatat e personave me aftësi të kufizuar të cilat e kundërshtojnë kategorikisht këtë hap, duke qenë se vetë ligji, I'ua njeh një të drejtë të tillë.