TIRANE- Me nderime, lot dhe lule përcillet për në banesën e fundit deputeti i PD-së Sokol Olldashi. Për më shumë se dy orë, deputetë, krerët e lartë të shtetit, miq dhe qytetarë kanë kryer homazhe para arkivolit të deputetit të ndjerë të vendosur në hollin e Kuvendit. Deputeti PD-së, dy herë ministër në qeverisjen e djathtë humbi jetën mbrëmjen e djeshme (20 nëntor 2013) në një aksident tragjik në Qafë Kërrabë, teksa udhëtonte nga Tirana për në Elbasan. Një grup ekspertësh vazhdojnë edhe sot verifikimet në vendin e ngjarjes. Sheshi para Kuvendit është i mbushur plot me qytetarë, politikanë dhe diplomatë të akredituar në Tiiranë në pritje për t'i bërë homazhet dhe për t'i dhënë lamtumirën e fundit Kolit dhe për t'i shprehur ngushëllimet familjes. Të gjithë deputetët e Parlametit, po zhvillojnë homazhe. Ndërkohë që ambasadorët e akredituar në Tiranë kanë dërguar dhe mesazhe ngushëllimi. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe ish kryeministri Berisha, Jozefina Topalli por dhe shumë deputetë nuk kanë mundur të mbajnë lotët gjatë gjithë ceremonisë mortore. Edhe presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan homazhe.