Idlir Peçi, pedagog në Universitetin e Utrecht, Holandë i emëruar dje me vendim të Këshillit të Ministrave në postin e zv/ministrit të Drejtësisë është djali i Spiro Peçit.
10 ditë më parë Idlir Peçi ka rimarrë shtetësinë shqiptare për të cilën kishte hequr dorë disa muaj më parë.
Me një dekret me nr. 7941 të datës 05.02.2013 Presidenti Nishani ka firmosur lejimin për lënien e shtetësisë të 27 personave mes tyre dhe të Idlir Spiro Peçit. Ndërkohë që më 13.11. 2013 Me një dekret me nr. 8389 presidenti Nishani ka firmosur dhënien e shtetësisë shqiptare për 25 persona mes tyre dhe Idlir Spiro Peçit.
Idlir Peçi është diplomuar jurist pranë Universitetit Aristotelos, të Greqisë dhe me studime Master dhe Doktoraturë në Universitetin e Groningenit, Holandë dhe është themelues dhe koordinator akademik i qendrës kërkimore te Magjistraturës, në Tiranë.
Ndërkohë që i ati i tij Spiro Peçi ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë (shkurt 2002 deri në dhjetor 2003) dhe së fundmi postin e këshilltarit ligjor të ish presidentit Bamir Topi.