Është kontaktuar menjëherë Policia kufitare e shteteve fqinjë, Greqisë, Maqedonisë dhe Kosovës, të cilat së bashku me Policinë Kufitare Shqiptare, përforcuan maksimalisht shërbimet për të mos lejuar largimin e të arratisurve përtej kufijve.
Së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kam kërkuar menjëherë bashkëpunimin e Ministrit të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, me të cilët Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ndërtuan një Plan Operacional për kapjen e të arratisurve.
Rreth orës 20:00 dy makina të kamufluara me sinjalistikë policie thyen postobllokun e sapongritur nga Policia në Pogradec. Policia e Shtetit u vu menjëherë në ndjekje dhe në hyrje të qarkut të Elbasanit bëri të mundur kapjen e njërës prej makinave së bashku me të dy pasagjerët, të cilët janë njëkohësisht dy prej organizatorëve të arratisë dhe mbështetës të jashtëm.
Si rezultat i punës së menjëhershme, rreth orës 22:00 u bë e mundur kapja e njërit prej të arratisurve, shtetasit Artur Gora, i cili u kap në aksin Korçë - Devoll në fshatin Dishnicë. Ndërkohë operacionet e kërkimit kanë vijuar gjatë gjithë natës në të gjithë qarqet e Shqipërisë.
Vetëm pak minuta më parë, nga strukturat e Policisë së Qarkut Elbasan u bë i mundur arrestimi i tre prej të arratisurve, të gjithë të dënuar me burgim të përjetshëm. Konkretisht: Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri.
Njëkohësisht Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka arrestuar Altin Lamin, i cili është njëri prej bashkëpunëtorëve të jashtëm në arratisjen e djeshme. Ky person dyshohet se ka vendosur eksplozivin në qytetin e Korçës, në momentin që nisën veprimet e të burgosurve për t'u arratisur.
Aktualisht të gjitha strukturat e Policisë vazhdojnë regjimin e gadishmërisë. Vazhdohet kërkimi për arrestimin edhe të tre të arratisurve të tjerë, të cilët dyshohet se janë brenda perimetrit të sigurisë policore.
Dëshiroj të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtorin e SHISH për gatishmërinë dhe angazhimin. Jemi duke zhvilluar hetime shteruese për të zbardhur të gjithë skenarin e organizimit dhe realizimit të arratisjes, e njëkohësisht për arrestimin e të gjithë personave përgjegjës.
Kjo ishte sigurisht një situatë serioze, por njëkohësisht një sprovë për Policinë e Shtetit dhe bashkëpunimin institucional ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Kemi arritur një standard të ri bashkëpunimi, i cili po jep frutet e para, edhe në situata të tilla kritike.
Por mbi të gjitha jam krenar për Policinë e Shtetit. Për këtë aksion spektakolar që ka ngritur në këmbë oficerët më të mirë të Policisë së Shtetit, të cilët edhe pse të braktisur nga qeveria e mëparshme e të lënë në mëshirë të fatit, pa mjete, pa infrastrukturë dhe pa asnjë mundësi reagimi, bënë të mundur kapjen e 4 të arratisurve më të rrezikshmit, të dënuar me burgim të përjetshëm.
Dua të falënderoj çdo pun...