VLORË - 101 vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar në Vlorë do të pritet me dekorin e vitit të kaluar. Nënkryetar i bashkisë së Vlorë, Arben Beqiri thotë se shkak është bërë mungesa e fondeve në arkën e këtij institucioni.
"Në kushte të vështira ekonomike financiare, bashkia ka shfrytëzuar në një farë mënyre dekorin e përdorur dhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Të gjitha rrugët kryesore të qytetit janë veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar sikurse dhe me flamuj të tjerë festiv të cilët kanë dhënë një atmosferë më festive qytetit më të gëzuar", tha nënkryetari i bashkisë së Vlorës, Arben Beqiri.
Beqiri bën të ditur edhe programin e aktivitetetve në kuadër të 101 vjeotrit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
"Ndërkohë bashkia ka përgatitur një program aktivitetesh, një draft programi i cili ka startuar që në datën 14 nëntor me një ekspozitë të çelur në ambjentet e teatrit 'Petro Marku' të qytetit të Vlorës. Ndërkohë që ka dhe shumë aktivitete të tjera në bashkëpunim me institucione të tjera kulturore që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin e Vlorës. Në të gjitha institucionet kulturore dhe muzeale të qytetit janë vënë me kapacitet të plotë që nga muzeu historik në të cilin do të hapet një ekspozitë për të vijuar më tej me muzeun e Pavarësisë Kombëtare do të ketë në kuadër të ditës së Pavarësisë ekspozita dhe shfaqje të dokumentarëve filmik mbi rrugëtimin e shqiptarëve për pavarësinë", përfundoi nënkryetari Beqiri.
Atmosfera e festave të 28-29 nëntorit ka filluar të ndihet në rrugët e qytetit të Vlorës, pasi rrugët dhe institucionet janë veshur me dekoret tradicionale të festës së pavarësisë.