TIRANË - Zbardhet raporti i Mjekësisë Ligjore, për aksidentin e Sokol Olldashi, i cili është dërguar edhe prokurorisë së Tiranës që ka nën hetim ngjarjen.
Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë bërë të ditur për Shqiptarja.com dhe A1 Report se, gjatë ekspertizës së të ndjerit, nuk janë gjetur lëndë të huaja në trupin e Olldashit.
Ekspertiza mjeko-ligjore është kryer nga dy mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të gjitha veprimet janë regjistruar nga kamera për efekt të provave.
Pas aksidentit, nga trupi i Olldashit ishin marrë kampionë me qëllim evidentimin e lëndëve të huaja në trupin e tij dhe nëse kishin ndikuar në shkaktimin e aksidentit mbrëmjen e datës 20 nëntor 2013 që i mori jetën deputetit demokrat.
Burime nga Mjekësia Ligjore thanë se, viktima Sokol Olldashi ka pasur dëmtime të mëdha në pjesën e kokës që i kanë prekur edhe trurin, që kanë qenë fatale për të duke i sjellë edhe vdekjen e menjëhershme.
Gjithashtu nuk janë evidentuar shenja apo dëmtime që mund të jenë marrë përpara se të ndodhte aksidenti tragjik, që i mori jetën deputetit Olldashi.
Më parë u zbardh edhe ekspertiza auto-teknike e makinës së aksidentit.