TIRANE- Administrata duhet të ndahet nga politika dhe të ofrojë shërbim të njëjtë për qytetarët, pavarësisht bindjeve politike. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me punonjësit e administratës publike të zhvilluar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Rama tha se "administrata nuk ka luksin të konkurrojë privatin", por theksoi se do të reformohet.
Edhe ministrat e qeverisë Rama-Meta kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me reformat e bëra deri më tani, dhe ato që pritet të realizohen nga qeveria në detyrë.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama tha se administrata është themeli i shoqërisë europiane, ndërsa shtroi nevojën e një shërbimi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike.
"Po punojmë për një administratë në shërbim të qytetarit dhe respekt të ligjeve të vendit. Një administratë që është ajo çka ka munguar më shumë se çka tjetër në gjithë këto vite, dhe është ajo çka do të jetë themeli i Shqipërisë europiane, si anëetare e BE. Në një realitet që jetësohet këtu në vend, në realitetin europian të jetës së këtij vendi, dhe që pikësëpari fillon aty ku qytetari troket dhe dera e adminsitratës hapet për ta dëgjuar dhe për ti shërbyer. Me anë të admisnitratës publike eksperienca e njerëzve të një vendi, vihet në shërbim të shoqërisë", u shpreh Rama.