Tetovë, mungon transporti urban

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Qytetarët e Tetovës tashmë disa vite përballen me mungesë të transportit urban. Kjo si pasojë e falimentimit të ndërmarrjes auto transportuese 'Polet'. Banorët e lagjes Drenoc dhe disa paralagje në pjesën lindore të Tetovës shfrytëzojnë transportin që vjen nga fshatrat. Në Tetovë transportin urban e kryejnë firma private, të cilat nuk kanë të rregulluar orarin dhe linjat qarkulluese. Tetovarët kërkojnë nga Komuna që të zgjidhet ky problem.

"Tash Tetova është kryeqendra e shqiptarëve në Maqedoni, dhe në çdo mënyrë, me të gjitha metodat pushteti qendror nuk dëshiron që të zhvillohet në të gjitha aspektet, në qoftë se Manastiri, Ohri mund të ketë transport publik, Shkupi me 200 autobus, ato autobusa janë blerë nga tatimet, tatimet I paguajmë edhe ne edhe ju, se dikush thotë nuk paguajmë, por çdo blerje e kemi me TVSH, do të thotë ne mbushim kasën e këtij shteti. Sa I përket Tetovës, I duhet transport publik, Tetova me dy universitete mirëpo pushteti qendror nuk e donë një gjë të tillë se duhet mjete për tu bërë kjo punë", u shpreh një banor i Tetovës.

"Po na duhet, si tetovar na duhet për shkak se bëhet një ngecje e komunikacionit, shumë tollovi bëhet brenda ditës. Kështu nëse do të ketë transport urban do të jetë më mirë për qytetarët e Tetovës edhe për fshatarët që do të vijnë në qytet dhe nuk do të lëvizin me vetura për shkak se bëhet tollovi", tha një tjetër banor i Tetovës.

Kryetarja e Komunës së Tetovës Teuta Arifi tha për ALSAT M se tek vitin e ardhshëm do të fillojë fillimisht studimi i këtij problemi dhe më pas zgjidhja.

"Kjo është një çështje që duhet të zgjidhet, mirëpo për vitin që vjen ne do të bëjmë një studim se cila mënyrë është më efikase. Gjithsesi se ajo që është duke vazhduar me transportin privat do të vazhdojë në ndërkohë që ne do të kërkojmë alternativa për të përmirësuar qasjen e qytetarëve deri në vende të ndryshme për ta bërë qytetin një qytet urban", deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.

Arifi tha se fillimisht do të tentojnë që të gjejnë një vend adekuat në qytet për furgonët të cilët qarkullojnë në linjën nga qendra deri tek Universiteti i Evropës Juglindore, kjo për shkak se të njëjtit shkaktojnë tollovi në komunikacion. Bashkim Sulejmani

Share This Video


Download

  
Report form