LSDM-ja shprehu shqetësim të thellë nga dështimi i vendit për të 8 herë me radhë në rrugën e integrimeve evropiane. Nga partia maqedonase në opozitë thanë se vendimi i Këshillit të BE-së për mos dhënien e datës për fillimin e negociatave Maqedonisë, lidhet me dosjen problematike të vendit për sa i përket sundimit të së drejtës, pavarësisë së gjykatave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirisë së shprehjes, papunësisë si dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nga LSDM-ja i bënë thirrje pushtetit të Nikolla Gruevskit që në plan të parë të vendos interesat strategjike të vendit në vend të politikave populiste që i komplikojnë akoma më shumë problemet e vendit në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
"Kualifikimi se qeveria në Maqedoni nuk bën dallim mes shtetit dhe partisë dhe se keq menaxhon me financat publike, e kthejnë Maqedoninë 20 vite prapa, në vitet e 90-ta, në fillimet e ndërtimit të Maqedonisë së pavarur. Ritheksojmë se qeveria duhet t'i korrigjojë politikat e veta që dërgojnë porosi negative në Bashkimin Evropian. Në kohën kur po mbahej Këshilli Evropian, kur të gjitha palët lobojnë, luftojnë, për konkluzione më të mira, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë ishte në Indi. Mund ta marrim me mend se çfarë porosie ai u dërgoi ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të BE-së", tha Lidija Dimova, kryetar i Këshillit për EU integrime të LSDM-së. Alsat-M