Trualli në Kala, Hani: Marrëveshja është shkelur nga Janakievski

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Ankandi publik për shitjen e truallit në Kala kompanive të Kamçevit është ankimuar nga Bashkësia Islame. Ky vendim tani i është nënshtruar një Komisioni të shkallës së dytë pranë Qeverisë, i cili duhet të vendosë nëse ankesa e BFI-së ka bazë, dhe të kthehet nga e para. Burime pranë Qeverisë thonë se përfaqësuesit shqiptarë po bëjnë përpjekje që të ndryshojnë vendimin dhe ky truall ti jepet Bashkësisë Islame, ashtu siç ishte premtuar, por ata nuk shprehen shumë optimistë rreth epilogut final. Bashkësia Islame ditë më parë në një reagim të tyre i kishte quajtur të paaftë funksionarët shqiptarë të përfshirë në çështjen e truallit në Kala, përfshi këtu edhe dy zv/ministrat shqiptarë të transportit, atë aktual Xhelal Bajrami, dhe paraardhësin e tij Tahir Hani. Hani në një deklaratë për Alsat M, ka mohuar përgjegjësinë e tij lidhur me shkeljen e premtimit ndaj Bashkësisë Islame, duke u arsyetuar se ai asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në këtë proces. Megjithatë Hani njofton se gjatë vitit 2012, me kërkesë të BFI-së ka menaxhuar një takim mes ministrit Mile Janakievski dhe BFI-së, të cilën e kanë përfaqësuar Driton Dikena dhe tashmë i ndjeri Jakup Selimovski. Sipas Hanit, në këtë takim është vendosur që toka ti jepet BFI-së me marrëveshje të drejtpërdrejtë, vendim të cilin e ka shkelur Janakievski duke e çuar truallin në ankand publik.

"Në atë takim unë kam qenë si person i cili ka ndërmjetësuar dhe menaxhuar takimin, në të cilin është diskutuar për tokën në Kala, për të cilën paraqiste interes Bashkësia Islame ta merr në pronësi me procedurë ligjor. Në atë takim është diskutuar dhe ka pasur gatishmëri nga ana e ministrit Mile Janakievski se duhet të realizohet një proces i tillë i transferit të tokës ndërtimore pronë e Republikës së Maqedonisë në pronësi të BFI-së" , tha Tahir Hani, ish zv/ministër i transportit.

Sipas ligjit, prona shtetërore mund të shitet me marrëveshje të drejtpërdrejtë nëse si blerës paraqiten Bashkësitë fetare ose përfaqësitë diplomatike. Ministria e Transportit jo vetëm që nuk ka mbajtur premtimin për shitje të tokës me marrëveshje të drejtpërdrejtë me Bashkësinë Islame, por edhe e ka penguar pjesëmarrjen e saj në ankandin publik. Arsyetimi nga ministria është se ka pasur parregullsi teknike në aplikimin e Bashkësisë Islame. Megjithatë edhe sot ministri Janakievski nuk u bë i gjallë tu përgjigjet pyetjeve të televizionit Alsat M, lidhur me atë se pse kishin shkelur marrëveshjen e vitit 2012 me Bashkësin Islame, dhe për çfarë qëllimi refuzuan pjesëmarrjen e saj në ankandin publik, të cilin e fitoi biznesmeni Orce Kamçev. Heshtin edhe ish zv/kryeministri Abdulaqim Ademi dhe zv/ministri i transportit Xhelal Bajrami rreth ftesës së BFI-së për debat publik, për të ballafaquar argumentet rreth këtij premtimi të parealizuar. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form