TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar për tritolin e vendosur në banësën e kreut të kësaj force politike për Pogradecin, Luan Lipo. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi tha se ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm në Pogradec, nxit klimën e dhunës ndaj opozitës. Duke dënuar aktin kriminal, Partia Demokratike i kërkon policisë dhe drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen, ka akuzuar qeverinë Rama-meta për "krijimin dhe nxitjen e një klime agresiviteti ndaj opozitës".
"Partia Demokratike e konsideron shpërthimin e granatës në derën e shtëpisë së kryetarit të PD-së së Pogradecit, ku e gjithë familja e tij ishte prezent, si shenjë të pasigurisë së madhe publike, të rritjes së kriminalitetit në vend, dhe të lehtësisë me të cilën goditen përfaqësuesit e opozitës.
Partia Demokratike është në krah të z. Lipo dhe të familjarëve të tij, që janë tronditur jashtë mase nga kjo ngjarje e rëndë.
Qëkur ka ardhur në pushtet, kjo qeveri ka krijuar dhe nxitur një klimë agresiviteti ndaj opozitës. Kërcënime në parlament, dhe dhunë shtetërore e kriminale ka pasur vazhdimisht në këto muaj ndaj demokratëve, zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Demokratike. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga skenari i kërcënimit të kundërshtarit poltik, pasi ky është një skenar me pasoja të rënda për vendin", tha Voprsi.
Ndërkaq, zëdhënësja e PD-së i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë të reagojnë dhe të vënë para përgjegjësisë autorët e ngjarjes.
Redaksia Online