A1 Report - Zyrtaret e Berishes kredi si te pastrehe, blejne vile ne Lalez

Report TV 2015-08-21

Views 1

TIRANE- Në vazhdën e kronikave investiguese "Fiks Fare" transmetoi një investigim ku dy zyrtarë të lartë të ish-qeverisë, të deklaruar si të pastrehë, arrijnë të marrin kredi të butë (lehtësuese) për të blerë një shtëpi në Gjirin e Lalzit në Durrës. Burrë e grua marrin kredi të butë për të njëjtin objekt, ndërkohë në realitet, objekti në fjale është një shtëpi pushimi në plazhin e Gjirit të Lalzit në Durrës.

Kamerat e "Fiks Fare" kanë dokumentuar gjithçka me anë të pamjeve filmike duke demaskuar haptazi manipulimin e bërë me dokumente ku tregoi me fakte sesi ish-këshilltari për çështjet ligjore i ish-kryeministrit Berisha, Admir Drago dhe ish-zv.ministrja e Drejtësisë ne qeverinë Berisha, Brikena Kasmi, kanë përfituar të dy nga një kredi lehtësuese prej 5 milionë lekësh secili për të njëjtin apartament me sipërfaqe 107.24 m2 në zonën A të vilave në Vilën nr.9, në Gjirin e Lalzit në Durrës.

Në dokumentet që janë dorëzuar pranë bankës që dha kredinë, vëren se të dy personat janë bërë dorëzanës për njëri-tjetrin për kredinë që ka marrë secili e kanë blerë të njëjtin apartament. Kasmi, në deklaratën noteriale, që është futur në dosjen e saj të kredisë, thotë se është e martuar dhe ka dy fëmijë. Në dosjen e kredisë të të dy këtyre ish-zyrtarëve, përveçse janë dorëzanë për njëri tjetrin, dorëzanës të njëjtë në të dyja dosjet janë prindërit e ish-zv.ministres.

Marrja e kredisë nga dy bashkëjetuesit për të njëjtin shtëpi është marrë në po të njëjtën bankë pa as edhe një lloj problemi, apo hije dyshimi dhe kontratat me bankën janë nënshkruar nga të dy ish-zyrtarët brenda së njëjtës ditë, 20 gusht 2010.

Kështu, nga të pastrehë, çifti i zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë bëhen pronarë të një vile në Gjirin e Lalzit me të drejta të plota. Në Vendimin e KM nr. 600 të datës 12.09.2007 është parashikuar trajtimi i zyrtarëve të shtetit me kredi me kushte lehtësuese nga shteti për blerje banese apo sipërfaqe banimi shtesë, në vendin e ushtrimit të detyrës.

Ndërsa pika 21/3 e udhëzimit të MPPT dhe MF nr. 6257/2008, i ndryshuar, sqaron qartë se banka akordon kredinë që subjektin që ka përfituar sipas VKM-së së mësipërme vetëm për blerje banesë në qytetin ku këta zyrtarë ushtrojnë veprimtarinë për të cilën kanë përfituar të drejtën e subvencionimit. Asnjë prej dy ish-zyrtarëve të lartë të ish-qeverisë Berisha nuk e ka pasur qendrën e punës në Gjirin e Lalzit ku kanë përfituar shtëpinë e pushimit në bllokun e vilave.

Share This Video


Download

  
Report form