Të shtënat në Bit Pazar, Jankullovska nuk sheh asgjë të keqe!

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Gordana Jankullovska nuk sheh asgjë të paligjshme në aktin e policit që hapi zjarr në mes të turmës në Bit Pazar të Shkupit, dy javë më parë. Pasi, një kohë të gjatë u mundua që me heshtje të linte në harresë këtë incident, ajo sot më në fund iu përgjigj pyetjeve të televizionit Alsat. Jankullovska njoftoi se të vetmit që do të bartin përgjegjësi për incidentin në Bit Pazar janë shitësit, të cilët do të përballen me padi penale.

"Jemi nga fundi në zbardhjen e rastit. Do të ngrihen padi adekuate kundër personave që penguan personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare. Prokuroria pastaj do të vendosë se çfarë do të ndërmarrë ndaj këtyre personave", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

"Rreth të shtënave të policisë, a do të ketë procedurë nga Kontrolli i Brendshëm?"

"Rreth të gjitha veprimeve të pjesëtarëve të policisë, ne po vërtetojmë ligjshmërinë ose paligjshmërinë e përdorimit të armëve të zjarrit. Nuk janë konfirmuar shkelje nga ana e policisë, por është konfirmuar se një grup i dhunshëm tentoi pengimin e personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare", u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.

Por rregullorja për përdorimin e mjeteve të dhunës dhe armëve të zjarrit specifikon qartë rastet kur duhet dhe kur nuk duhet të përdoren ato. Rrethanat në të cilat është përdorur arma e zjarrit në Bit Pazar bien në kundërshtim me nenin 26 të kësaj rregulloreje, ku thuhet se

"Nuk përdoret armë zjarri nëse me atë akt vihet në rrezik jeta e qytetarëve të tjerë, fëmijëve e të moshuarve, nëse këta persona nuk rrezikojnë jetën e personit zyrtar apo personave të tjerë, me armë zjarri ose mjete të tjera të rrezikshme".

Neni 22 e po të njëjtës rregullore numëron rastet kur policia mund të përdorë armën zyrtare për paralajmërim.

"Personi zyrtar i autorizuar, nëse me mjete të tjera dhune nuk mund të mbrojë jetën e qytetarëve ose të shmangë nga vetja sulmin e mundshëm me të cilin mund të rrezikojë jetën e tij, përdor armë zjarri nëse është i sulmuar fizikisht me mënyra ose me mjete armë, armë të rrezikshme ose mjete të tjera me të cilat rrezikohet jeta; nëse sulmi për rrezik jete kryhet nga dy ose më shumë persona, nga një person fizik në pamje të parë më të fuqishëm ose person që posedon aftësi të veçanta".

Madje sipas dëshmive të shitësve, polici i Alfa-s kishte hapur zjarr pa paralajmërim të zëshëm, që gjithashtu është e sanksionuar me rregulloren në fjalë. Më 29 dhjetor gjatë një aksioni për konfiskimin e fishekzjarrëve, policia u përballë me rezistencën e shitësve, dhe u detyrua t'u kthente atyre mallin, për t'u çliruar nga rrethimi i tyre. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form
RELATED VIDEOS