Qyteti i Shkupit edhe sot gjendet në zonën e kuqe sa i përket ndotjes së ajrit. Edhe pse më pak se dje, megjithatë të dhënat tregojnë se ajri në Shkup ka nivel të lartë të grimcave PM10. Ndotje më e madhe ajrit në Shkup është regjistruar në Karposh, Lisiçe, Qendër, përkatësisht rrethi i Qendrës Tregtare Mavrovasja dhe Milladinovci. Për kryetarin e Shkupit Koce trajanovski, ndotja e ajrit në këtë periudhë të vitit nuk është asgjë e re. Ai tha se Qyteti i Shkupit madje i ka tërhequr vërejtjen një kompanie ndërsa një kompanisë tjetër i është shqiptuar gjobë, për mos aplikim të lejes së integruar të tipit B.
'Ndotja në Qytetin e Shkupit nuk asgjë e re, d.m.th është një gjendje e cila po përsëritet tani më disa vite me radhë. Për fat të keq këtë vit ndotja është më e lartë dhe jo vetëm në Shkup por po e shihni se edhe më gjerë, në Maqedoni dhe jashtë saj. Ato objekte që janë në fazë të ndërtimit po u nënshtrohen kontrolleve të ashpra, kam fjalën për ato automjete që dalin nëpër rrugët e Shkupit, ti pastrojnë gomat e tyre, me qëllim që ato mos të shpërndajnë pluhurin, gjithashtu Qyteti i Shkupit në disa raste përmes Higjienës Komunale pastron me ujë dhe mjete speciale rrugët me qëllim mbajtjen e grimcave PM10 në tokë dhe mos të lejojë të njëjtat të kthehen në ajër', deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
Pos Shkupit, ajri vazhdon të jetë i ndotur edhe në Tetovë dhe Kërçovë. Edhe përkundër kërkesës së Shoqatave Ekologjike që autoritetet të ndërmarrin masa më radikale me qëllim uljen e ndotjes së ajrit, Qeveria mbeti vetëm në masat afat-shkurtra, të lirojë nga puna gratë shtatzëna, personat më të moshuar se 60 vjet dhe të sëmurit kronik nga astma, si dhe përcaktimin e një orari të caktuar të punës për punëtorët e angazhuar nëpër objekte në ndërtim e sipër. Ndotja e ajrit u kthye sërish me mjegullën e cila po vështirëson komunikacionin nëpër rrugët e vendit, ndërsa për pasojë mbylli pothuajse plotësisht komunikacionin ajror mbi Shkup. Fluturimet nga aeroporti 'Aleksandri i Madh' janë anuluar ose transferuar për në Prishtinë. Valmir Kuçi