VLORE- Kreu i komunës Qendër në Vlorë, Fredo Berberi, ka mbetur i plagosur, si pasojë e shpërthimit të makinës së tij.
Berberi ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij me targa Targat AA 167 V, në bulevardin Vlorë-Skelë në momentin e shpërthimit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:10 në qendër të qytetit të Vlorës, ku një sasi eksplozivi "ka hedhur në erë" automjetin e kryekomunarit Berberi.
Kreu i komunës Qendër është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ndërsa bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e shpërthimit të automjetit tip fuoristradë janë dëmtuar edhe dy makina të tjera, që ndodheshin aty pranë në momentin e ngjarjes.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat e policisë së Vlorës, dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të vendosjes së lëndës eksplozive në makinën e kreut të komunës Qendër.