BDI nuk flet për zgjedhje të parakohshme, prioritet presidenti konsensual

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

BDI-ja ka filluar negociatat me VMRO-në për kandidatin konsensual. Kryesia Qendrore e partisë diskutoi mbrëmë për rrjedhën e bisedimeve dhe konfirmoi vullnetin e anëtarësisë për konsensus multi-etnik që do të rezultojë me president të pranueshëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Nëse dështojnë bisedimet me VMRO-në, BDI-ja do të tentojë të arrijë konsensus ndër-shqiptar.

"Kryesia Qendrore edhe njëherë inkurajoi kryetarin Ahmeti, strukturat e partisë për të vazhduar bisedimet me partnerin e koalicionit, për të etabluar konceptin e kandidatit konsensual. Deri tani nuk ka përgjigje zyrtare ose formale në këtë drejtim, por ende ka kohë që të shfrytëzohet çdo ditë, deri në momentin e fundit ligjor që të diskutohet për këtë koncept", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

BDI-ja nuk ka përjashtuar edhe opozitën maqedonase si alternativë për një kandidat të përbashkët presidencial. Nga partia e Zaevit thonë se deri tani nuk janë kontaktuar nga BDI-ja, por lënë të kuptohet se do të shqyrtohet seriozisht çdo ofertë e mundshme.

"Për ne nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga BDI-ja", deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Nga ana tjetër, Kryesia Qendrore e BDI-së nuk ka diskutuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Asnjë anëtar i kryesisë nuk ka kërkuar që pjesë e rendit të ditës të jenë zgjedhjet eventuale parlamentare.

"Nuk është hapur tema e zgjedhjeve të parakohshme. Deri tani kemi theksuar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje për sfidat në Maqedoni, se ka Qeveri legjitime e cila duhet të vazhdojë të zgjidhë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët", u shpreh Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Si rrallëherë më parë, anëtarët e Kryesisë të BDI-së janë privuar edhe nga celularët e tyre para se të hyjnë në mbledhjen maratone që ka zgjatur deri vonë. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form