TIRANE- Përmirësohet gjëndja shëndetësore e efektivëve të policisë së Burgjeve të aksidentuar mbrëmjen e 23 janarit në Novoselë, pranë Vlorës.
Nga gjashtë të aksidentuarit që u dërguan për ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë, vetëm 2 prej tyre ndodhen në repartin e reanimacionit.
Katër të tjerët ndodhen në pavionet e politraumës, dhe pritet që deri në mesditë mjekët të vendosnin për daljen e tyre nga spitali.
Ndërkaq, sipas burimeve në spitalin e Vlorës nuk ka asnjë prej të aksidentuarve që u paraqitën për ndihmë mjekësore.
Sipas Policisë së Shtetit, ishin 12 efektivë të policisë së burgjeve që u aksidentuan nga përplasja e tre automjeteve,
një fuoristradë policie dhe dy furgonë të Policisë së Burgjeve.
Tre automjetet shkonin autokolonë për një kontroll të befasishëm në ambjentet e paraburgimit në Vlorë.
Sipas burimeve të A1Report nga veprimet paraprake hetimore në vendin e aksidentit shkak dyshohet të jetë një manovrim i gabuar i automjetit që ndodhej në krye të autokolonës, ndërsa kushtet e vështira klimaterike kufizonin pamjet duke e bërë të pamundur shmangien e përplasjes nga automjetet që vinin pas.