Ndërron jetë në moshën 85 vjeçare, korifeu i sazeve të Përmetit, Laver Bariu. Ai ka mbyllur sytë ditën e sotme, 26 Janar 2014, në banesën e tij në qytetin e Përmetit.
Laver Bariu, konsiderohet si një personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare e veçanërisht atë përmetare. Konsiderohet si themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit në vitet '50-të, të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj.
Me sazet e krijuara prej tij, mori pjesë për herë të parë, në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar në Tiranë në vitin 1952, në të cilin u vlerësua me çmimin e parë si instrumentist popullor.
Më 1954 ai ka bërë regjistrimin e këngës së parë me saze dhe pesë vjet më vonë, u regjistrua si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane. Ka qenë pjesëmarrës në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare.
Laver Bariu ka qenë mësuesi më i mirë i shumë klarinetistëve popullorë të qytetit të Përmetit. Me vdekjen e tij, mbyllet cikli i mjeshtrave të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut, ndërkohë që Sazet e Përmetit të udhëhequra nga ai, kanë qenë formacioni më i kompletuar në jug të vendit në vitet '50-'90.
Në ndihmë të sazeve të tij, kanë interpretuar edhe emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, si: Mentor Xhemali, vëllezërit Lame- artistë të merituar, Ylli Zeqiri, Robert Tralo, Drini Kanani, Vaskë e Dhimitër Curri etj.
Në vitin 1977, së bashku me Mentor Xhemalin, interpretuan dhe regjistruan të gjitha materialet muzikore të filmit "Gjeneral gramafoni", me regji të Viktor Gjikës.
Në Mars 2001, për meritat e tij u dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhrin "Mjeshtër i madh i punës", ndërkohë që po në këtë vit, Këshilli Bashkiak i Përmetit, e shpalli atë "Qytetar nderi", krahas vëllezërve Frashëri, Odhise Paskalit dhe Mentor Xhemalit.