Komisioni parlamentar për politikë të jashtme praktikoi sot për herë të parë politikën e llogaridhënies së ambasadorëve, në mbarim të mandatit të tyre në vende të caktuara. Llogaridhëniet e tyre ishin maratonike, gjë që nxiti edhe reagimin e Safet Bishevacit, deputetit opozitar, i cili tha se fjalimet pompoze po përdoren për marketing parazgjedhor.
"Në prag të zgjedhjeve, të vendosni një praktikë e cila nuk ka qenë më herët... Mendoj se është politikisht e lejuar, por siç do shprehej një ministër i VMRO-DPMNE-së, është pak jo etike", deklaroi Safet Bisevac, deputet opozitar.
"Të gjitha sukseset e çdo ambasadori që zbaton politika në kuadër të një qeverie të zgjedhur demokratike, janë suksese të shtetit dhe do të vazhdojë të jetë kështu, pa dallim të dinamikës zgjedhore", tha Antonio Milloshoski, kryetar i komisionit.
Ndërkohë Sillvana Boneva kërkoi që ambasadorët të mos përfshihen në përplasjet e zakonshme politike mes deputetëve.
"Ne vendosëm mekanizëm kontrolli ndaj pushtetit ekzekutiv. Ky mekanizëm i llogaridhënies nga ambasadorët nënkupton llogaridhënie edhe pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit ligjvënës dhe kontroll më të madh ndaj MPJ-së, veçanërisht punës diplomatike", u shpreh Sillvana Boneva, VMRO-DPMNE.
Sot dhanë llogari ambasadorët Kire Ilioski, të cilit i skadon mandati në Mbretërinë e Suedisë dhe emërohet Shef i misionit të përhershëm në Organizatat Ndërkombëtare në Vjenë; Pajo Aviroviq, të cilit i skadon mandati si përfaqësues i përhershëm në OKB dhe emërohet ambasador në Izrael; Ilija Isajllovski i cili nga ambasador në Federatën Ruse do të kalojë ambasador në Republikën Popullore të Kinës dhe Zoran Dabiq nga përfaqësues i përhershëm në organizatat ndërkombëtare në Vjenë, kalon ambasador i Maqedonisë NATO në Bruksel. Bedri Rexhallari