VLORË- I akuzuar nga Edi Paloka si ish-anëtar i bandës së Zani Çaushit, Adrian Liçaj, aktualisht specialist i luftës kundër trafikut të drogës, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PD-së.
"Në momentin që dukesha në video kam qenë në krye të detyrës si pjesë e policisë kriminale. Zoti Paloka ta nxjerrë të plotë atë video! Makina që dukej aty ishte makinë me gazetarë dhe filmimet janë bërë prej tyre", ka thënë specialist i Policisë së Vlorës, Liçaj.
Ai ka shtuar se: "akuzat e Palokës janë për motive politike, ndoshta edhe personale, se i janë cënuar interesat e ndonjë individi mbështetës të tij", ka vijuar më tej Liçaj, duke sqaruar se, "unë jam efektiv i hershëm i Policisë së Shtetit."
Ai ka theksuar se ka qenë në atë makinë "për të mbrojtur shtetin e dështuar të Edi Palokës" dhe se "do ta ndjek çështjen penalisht".
Një ditë më parë, Partia Demokratike akuzoi qeverinë se në radhët e policisë së shtetit ka punësuar ish- anëtarin e bandës kriminale të Zani Çaushit e cila vepronte në Vlorë gjatë trazirave të 1997.