TIRANË- Çanta me kavanozë reçeli presh e byrek, e harruar nga një student, në krah të ambasadës së SHBA-së alarmoi për gati 30 minuta Policinë e Tiranës.
Telefonata e mbërritur në polici ngriti në këmbë gjithë strukturat të cilët brenda pak minutash ishin vendosur përballë Liceut Artistik, në rrugën "Jani Kukuzeli", në krah të Ambasadës Amerikane.
Alarmi u dha rreth orës 11:40 dhe në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta policie. Një pjesë e zonës u rrethua me shiritin e sigurisë dhe për
disa minuta u bllokua lëvizja.
Ndërsa forca të shumta të policisë kryenin kontrollin, të pyetur brenda Ambasadës Amerikane, shërbimi i ruajtjes deklaroi se, alarmi nuk ishte në territorin e tyre.
Më pas në 12: 02 u bë verifikimi me qentë antieksplozivë që zbuloi se në çantë nuk kishin ndonjë lëndë eksploziv, por gjithsesi kontrolli vazhdoi.
Në vendin e ngjarjes shkoi edhe kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, që drejtonte operacionin. Po kështu pjesëtarë të forcës së sigurisë së Ambasadës së SHBA-së ishin aty për të dhënë ndihmën e tyre. Një telefonatë në sallën operative të Policisë së Tiranës, njoftoi për çantën e dyshimtë përballë Liceut Artistik, pikërisht në trotuarin ngjitur me murin rrethues të rezidencës së ambasadës së SHBA-së.