TIRANE- Referencat doganore do të hiqen gradualisht deri në fillim të vitit 2015 për mallrat që vijnë nga vendet e BE-së dhe SHBA-së. Kodi i ri doganor që po përshtatet sipas standardeve të BE-së, me vënien në zbatim, parashikon rishikimin e të gjitha referencave për mallrat e ndryshëm që hyjnë në Shqipëri. Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, gjatë prezantimit të punës së kompanisë "Crown Agents" përpara bizneseve të ndryshme, u premtoi këtyre të fundit, eleminimin e burokracive dhe krijimin e lehtësirave në sistemin doganor.
Spiropali theksoi edhe faktin se ekipet e "Crown Agents" do të zhvillojnë deri në 450 kontrolle në muaj në subjektet e ndryshme, për të mos lejuar abuzime në sistemin doganor.
Ndërsa përfaqësuesi i "Crown Agents" tha se Kodi i ri Doganor do të rrisë përfitimet për arkën e shtetit, pasi do të bëjë një administrim më të mirë të të ardhurave. Takimi ishte organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe synonte informimin e grupeve të interesit për reformën në sistemin doganor.