A1 Report - Atentati në Milot, flet xhaxhai: Të shokuar, s'kemi konflikte

Report TV 2015-08-21

Views 2

MILOT- Sot paradite zbardhen detaje të reja në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme afër Milotit ku mbetën të vrarë Klodian Ndreca, 28 vjeç dhe Taulant Prendi dhe u plagos vëllai i Taulanit, Aurel Prendi.

Sipas policisë pista kryesore e hetimit është se objektivit i atentatit mund të ketë qenë Klodian Ndreca, 28 vjeçari i cili mbrëmjen e djeshme ishte në timon të makinës. Ndërsa dy vëllezërit Prendi, djem halle me Ndrecën, ishin viktima të rastësishme pasi kishin qenë në makinë me Klodianin në momentin e ekzekutimit. Por nuk përjashtohet pista e hetimit se objektivi mund të jetë ngatërruar dhe objektiv i atentatit mund të ketë qenë ish pronari i automjetit, shtetasi me iniciale M.P, i cili dyshohet se ka precedente penalë në Itali.

Mbrëmjen e djeshme rreth orës 21;00 viktimat kanë qenë duke udhëtuar me makinë tip "Golf 5", kur dy persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë pranë një pike inertesh, tek këmbët e urës së Milotit, të aksit të vjetër Milot-Lezhë, dhe kanë qëlluar me automatik në drejtim të tyre.

Deri tani janë shoqëruar 15 persona. Xhaxhai i vëllezërve Prendi në një prononcim për median thotë se nuk kanë pasur asnjë konflikt dhe i kërkojnë qeverisë të zbardhë vrasjen dhe të vihet në vend drejtësia. "Ngjarja na ka shokuar. Ne nuk kemi patur konflikt me asnjeri. I kërkoj qeverisë Rama që të vihet drejtësia në vend."- thotë Gjovalin Prendi. Aurel Prendi ndodhet në spitalin e Lezhës dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën.

Share This Video


Download

  
Report form