Maqedonia mbetet vend i transitit, prejardhjes dhe destinimit të viktimave të trafikut me njerëz. Nga Ministria e Brendshme njoftuan se vitin e kaluar janë zbuluar 15 raste të tregtisë me njerëz. Të gjitha viktimat e trafikimit ishin të gjinisë femërore, nëntë prej tyre kanë qenë vajza të mitura ndërsa gjashtë të tjerat të moshës madhore. Të gjitha viktimat janë shtetase të Maqedonisë dhe vijnë nga familjet e kategorive të rrezikuara sociale nga Gostivari, Tetova, Gjevgjelia, Kumanova dhe Shkupi. Viktimat ishin detyruar që të martoheshin me qytetarë të përkatësisë rome si dhe ishin detyruar në prostitucion.
'Sidomos është karakteristike që tregtarët një pjesë të fitimit të arritur po bëjnë përpjekje që ta shfrytëzojnë për korruptimin e të punësuarve në institucionet shtetërore, për të siguruar funksionimin e papenguar të aktiviteteve të tyre kriminale. Sa iu përket viktimave, të shpeshtën bëhet fjalë për persona të moshës prej 13 deri më 22 vjet, kryesisht femra', tha Gordana Jankulovska, ministre e Brendshme.
Jankullovska tha se është ngritur padi penale ndaj tetë personave, dy prej të cilëve pjesëtarë të policisë. Institucionet këtë vit regjistruan 82 viktima të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore. Trafikimi me qenie njerëzore është në rritje e sipër. Në vitin 2012 ishin regjistruar 8 viktima të trafikimit me njerëz, që është dyfish më pak se në vitin 2013. Viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në Maqedoni kanë kujdes shëndetësor dhe ndihmë në të holla. Kompetentët paralajmëruan se do të vazhdojnë me avancimin e mekanizmave për luftimin e këtij lloji të kriminalitetit. Bojana Simonoviq