Të dielën përfundon afati ligjor për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve qytetare për kandidat presidencial, për ata kandidatë që nuk kanë mbështetjen e 30 deputetëve në Kuvend. PDSH-ja e Menduh Thaçit ka dorëzuar kërkesën në KSHZ për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidaturën e Iljaz Halimit dhe ka nisur tashmë procesin në Tetovë, ndërsa nga nesër, edhe në qytete të tjera. Kërkesë të tillë kanë paraqitur edhe 4 kandidatë të tjerë, njëri prej të cilëve i ka mbledhur tashmë 10 mijë firmat e nevojshme.
"Grumbullimi i nënshkrimeve ka filluar nga 16 shkurti dhe do të vazhdojë deri më 2 mars. Kanë ngelur edhe 3 ditë të plota për grumbullimin e nënshkrimeve të kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet presidenciale. Deri tani, vetëm Zoran Popovski i cili përkrahet nga partia "Grom" i ka grumbulluar 10 mijë nënshkrime", tha Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
Firma për kandidaturën e tyre po mbledhin edhe Stojançe Angellov, Biljana Vankovska dhe Hisni Ismaili. Vankovska në profilin e saj në Facebook kishte shkruar se nuk ka arritur të grumbullojë më tepër se 4 mijë nënshkrime. Pesimist është edhe Angellov, i cili nuk e zbulon numrin, por pranon se nuk do të arrijë të grumbullojë firmat e nevojshme.
"Procesi po shkon me vështirësi dhe shumë më vështirë nga çfarë e kishim planifikuar. Numri i firmave të mbledhura deri tani nuk është ai që kemi pritur, por duke pasur parasysh frikën e cila mbizotëron tek qytetarët, jemi të kënaqur nga numri. Shumë vështirë, në këtë moment nuk jam i sigurt nëse do ta arrijmë qëllimin", u shpreh Stojançe Angellov, Dinjiteti.
Edhe VMRO DPMNE-ja ka paralajmëruar mbledhjen e 10 mijë firmave për kandidatin e saj presidencial, pavarësisht nominimin nga 30 deputetët. Partia e Gruevskit synon që të gjitha firmat e nevojshme t'i mbledhë ditën e fundit të afatit ligjor, më 2 mars, pasi kandidati i tyre presidencial do të zgjidhet në konventën zgjedhore të një dite më parë. Benjamin Arifi