TIRANE- Katër ministra të kabinetit qeveritar Rama, nuk kanë dhënë ende dorëheqjen nga mandati i tyre i deputetit.
Pavarësisht marrëveshjes së arritur ndërmjet PS-së dhe LSI-së se ministrat e kabinetit qeveritar duhet të japin dorëheqjen nga mandati i tyre, katër eksponent të ekzekutivit janë ende në proces e sipër të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Konkretisht Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Ministri i Financave Shkëlqim Cani, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, nuk kanë dorëzuar mandatin. Kjo vonesë e tyre mund të lidhet edhe me faktin se tri prej ministrave kanë qenë gjithmonë në qendër të akuzave të opozitës për punën e tyre në krye të ministrive.
Akuzat e opozitës
Sulmet e vazhdueshme të Partisë Demokratike ndaj disa prej ministrave të kabinetit qeveritar, mund të ketë shkaktuar një hezitim të tyre për të mos dorëzuar mandatin e deputetit, pasi do të kërkonin më shumë kohë që të tregonin se akuzat e PD-së janë të pavërteta. Konkretisht, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është sulmuar më shumë nga të gjithë ministrat e tjerë të kabinetit qeveritarë.
Që pas mandatit të qeverisë Rama në fund të muajit shtator, kohë kur mori zyrtarisht edhe detyrën, Partia Demokratike ka hedhur një lumë akuzash ndaj Tahirit, gjë e cila mund të ketë çuar edhe në hezitimin e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit. Veç kësaj, rreth 2 muaj më parë kur filloi edhe dorëzimi i mandateve nga ana e ministrave, Tahiri plotësoi kërkesën për të hequr dorë nga posti i deputetit për të qenë vetëm Ministër i Brendshëm, por nuk e dorëzoi këtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Krahas Tahirit, Shkëlqim Cani, Ministri i Financave, ka qenë gjithashtu edhe një nga personat më shumë të sulmuar nga ana e Partisë Demokratike. Konkretisht, këto sulme u intensifikuan më shumë, gjatë kohës kur po hartohej buxheti vjetor për vitin 2014 si edhe në 2 javorëshin e debatit në Kuvend. Ish-kryeministri Berisha ishte personi që hodhi më shumë akuza ndaj Ministrit të Financave, gjë e cila mund të këtë çuar në hezitimin e tij për të dorëzuar mandatin e deputetit.
Edhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjithashtu ka qenë një nga pjesëtarët e ekzekutivit që është akuzuar shumë nga opozita. Konkretisht Bushati u vendos në qendër të sulmeve të PD-së gjatë kohës kur në vend po debatohej për çështjen e armëve kimike të Sirisë, si edhe në momentin kur në skenën e politikës shqiptare u fut edhe çështja e devijimit të dy lumenjve, Vjosa dhe Radika. Ndërsa Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri është e kundërta e tri ministrave të tjerë. Ai nuk ka qenë në qendër të sulmeve të opozitës por mosdorëzimi i mandatit të tij mund të ketë ardhur për shkaqe të tjera.