TIRANE- Një shpërthim i fuqishëm ka shkatërruar hyrjen e katit të tetë të një pallati në rrugën "Prokop Mima", pranë kompleksit Dinamo në Tiranë.
Objekt i sulmit ka qenë banesa e Ermal Kokës, biznesmen i materialeve elektrike tek rruga "Siri Kodra". Nga shpërthimi është lënduar vajza e fqinjit të Ermalit, ndërsa dëmet materiale kanë qenë të shumta. Edhe banesa e fqinjit me nr 37 që ishte në pronësi të shtetasit me inicialet A.P ka pësuar deme.
Sipas policisë, dyshohet se shpërthimi ka qenë formë kërcënimi ndaj Kokës, edhe pse ky i fundit nuk ka deklaruar për policinë të ketë qenë objekt presionesh apo gjobëvëniesh.
Policia nuk përjashton pistën e problemeve të biznesit të Kokës, apo konkurencës, si motiv për ngjarjen.
Shërbimet e Policisë shoqëruan dy persona që gjendeshin në ashensor në momentin e shpërthimit si të dyshuar, por i la më pas të lirë pasi nuk rezultuan të implikuar në ngjarje
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të "Shkaterrimit të pronës me eksploziv", parashikuar nga neni 152 i K.Penal.