Për të mërkurën në ora 12:00, është caktuar seanca e kuvendit ku do të debatohet rreth iniciativës së grupit parlamentar të BDI-së për shpërndarjen e Kuvendit. Seancës do ti paraprijë edhe një koordinim mes kreut të kuvendit Trajko Veljanovski, nënkryetarëve të Kuvendit dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare për të përcaktuar rrjedhën e debatit. Këtë e konfirmoi sot për Alsat koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Nexhati Jakupi.
"Kryetari i Kuvendit ka konvokuar seancën e radhës për ditën e mërkurë, më datë 5 mars në ora 12:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës, propozim vendimin të iniciuar nga grupi parlamentarë i BDI-së për shpërndarjen e përbërjes parlamentare dhe konvokimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare...Ditën e mërkurë do të kemi edhe një koordinim shtesë me ç'rast do të harmonizojmë qëndrimet mes grupeve parlamentare se si do të zhvillohet seanca e kuvendit", tha Nexhati Jakupi, koordinator i BDI-së.
Nisma e BDI-së deklarativisht është mbështetur thuajse nga të gjitha partitë politike parlamentare, megjithatë firmën për shpërndarjen e kuvendit e kanë hedhur vetëm deputetët e BDI-së.
"Këtë iniciativë e kanë nënshkruar të gjithë deputetët e BDI-së dhe si akt, si procedurë mjafton për të iniciuar konvokimin e një seance të tillë. Natyrisht ne i kemi ftuar gjatë dorëzimit propozim iniciativës gjithë grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvend që ti bashkëngjiten kësaj iniciative. Për momentin vetëm në mënyrë deklarative janë prononcuar disa grupe parlamentare", deklaroi Nexhati Jakupi, koordinator i BDI-së.
Sipas rregullores për punën e Kuvendit, debati për shpërndarjen e Kuvendit mund të zgjas maksimum tre ditë. Jo zyrtarisht nuk përjashtohet mundësia që të mërkurën gjatë seancës vetëm koordinatorët e partive politike ta thonë qëndrimin grupit që përfaqësojnë. Bedri Rexhallari