Forcat pro-ruse që morën kontrollin mbi bazën e forcave ajrore në Krime, hapën zjarr sot në ajër, kur rreth 300 trupa të Ukrainës u nisën drejt tyre. Sinjali ishte paralajmërues për t'u kërkuar atyre të ktheheshin në pozicionet e mëparshme në Belbek të Sevastopolit. Pas tensioneve disa orëshe, atmosfera më në fund u qetësua dhe trupat pro-ruse ulën armët. Autoritetet e reja ukrainase akuzojnë Rusinë për pushtim ushtarak, por Moska zyrtare nuk e njeh qeverinë e re në Kiev dhe thekson se në Krime gjendet vetëm për të mbrojtur rusët që jetojnë atje. Ndërkohë forcat pro-ruse, që nuk mbajnë asnjë shenjë ushtarake ose qeveritare në uniformat e tyre, morën kontrollin në kalimin kufitar nga ana e Ukrainës që lidh Rusinë dhe Krimenë me linjë trageti, pas së cilës filluan të transportohen kamionë plot me ushtarë. Presidenti amerikan Barak Obama tha se Rusia është në anën e gabuar të historisë, në lidhje me Ukrainën, si dhe veprimet e Moskës përbëjnë shkelje e së Drejtës Ndërkombëtare. Në rast se SHBA-ja vendos sanksione kundër Rusisë për Ukrainën, Moska do të jetë e detyruar ta hedhë poshtë dollarin si monedhë rezervë dhe të refuzojë shlyerjen e kredive në bankat amerikane, kërcënoi një zyrtar i lartë i Kremlinit. Ndërkaq, sot drejt Ukrainës udhëtoi sekretari amerikan i shtetit Xhon Keri. Rada supreme e autoriteteve të reja në Kiev ka ratifikuar memorandumin midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian për ndihmën prej 610 milion eurosh. Ndërkohë nëpër ngushticën e Bosforit në Stamboll sot në mëngjes kaluan dy luftanije ruse. Sipas njoftimeve, bëhet fjalë për flotën ruse të Mesdheut që ka shkuar në rajonin rreth Krimesë, ose në bazën në Sevastopol. Atje janë vendosur anije të Ukrainës që janë të bllokuara, për shkak të pranisë ushtarake ruse rreth tyre. Ivan Bllazhevski