POGRADEC- Mungesa e theksuar e infrastrukturës rrugore në fshatin Vërdovë të rrethit Pogradec prej vitesh është kthyer në një gangrenë për banorët e kësaj zone. Por ky shqetësim merr përmasa edhe më të mëdha pasi nxënësit e fshatit në stinën e dimrit detyrohen të ngujohen në shtëpi për shkak të mungesës së një rruge që lidh banesat e tyre me anën tjetër të rrugës për në shkollë.
Në këto kushte ata janë detyruar të ndërtojnë një urë të improvizuar për të kaluar këtë përrua që gjatë periudhës së dimrit bëhet i pakalueshëm për shkak të prurjeve të mëdha.
Kjo situatë pranohet edhe nga vetë prindërit e fëmijëve të cilët thonë se janë detyruar t'i mbajnë fëmijët në shtëpi kur reshjet e shiut janë të dendura.
Në fshatin Vërdovë të rrethit Pogradec janë rreth 250 nxënës të shkollës 9-vjeçare, ku një pjesë e tyre nuk shkojnë në shkollë gjatë dimrit për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme.