KURBIN- Drejtori i Uzinës së Superfosfatit në Laç është ekzekutuar mbrëmë para banesës së tij me 20 plumba automatiku. Policia identifikoi si autorin e dyshuar të ngjarjes, kushëririn e viktimës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 në fshatin Shullaz të Kurbinit ku Ramazan Lama, 56 vjeç dyshohet se është qëlluar me armë nga djali i xhaxhait të tij, Fatmir Lama, 46 vjeç. Policia e njoftuar për krimin, mbërriti në vendngjarje për të zbardhur rrethanat.
Autori i dyshuar, Fatmir Lama u arrestua menjëherë nga forcat e policisë dhe u mor në pyetje për zbardhjen e shkaqeve. Ka qenë e kotë ndërhyrja për të transportuar 56-vjeçarin në spital, pasi ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Ngjarja
Rreth orës 21:00 të së mërkurës, Ramazan Lama, 56 vjeç është afruar në banesën e tij në Shullaz të Kurbinit dhe ende pa zbritur nga automjeti tip-Fuoristradë, një breshëri automatiku është zbrazur në drejtim të tij.
Të shtënat janë dëgjuar nga familjarët e 56-vjeçarit të cilët kanë dalë menjëherë nga banesa. Ata kanë gjetur kryefamiljarin të gjakosur brenda në automjet dhe janë përpjekur t'i japin atij ndihmën e parë por ka qenë e kotë, pasi Lama ndërroi jetë në vend. Pas krimit, autori u largua me shpejtësi por u kap nga policia pak minuta më pas.