TIRANE - Kryetari i parlamentit Ilir Meta, duke folur sot në ambientet e universitetit Bujqësor ku ka uruar edhe 7 Marsin, deklaroi se "Shqipëria ka nevojë për plane konkrete për nxitjen e prodhimit vendas në bujqësi si dhe për uljen e kostove".
Gjatë fjalës së tij, Meta e ka vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm që sektori i bujqësisë luan në rritjen ekonomike të vendit si dhe ka vënë në dukje rolin e paçmueshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Në këtë kontekst, ai përmendi faktin se pavarësisht kushteve të përshtatshme, Shqipëria importon 6 herë më shumë prodhime bujqësore sesa eksporton.
Kryetari i parlamentit deklaroi se ekonomia bujqësore është tepër e rëndësishme për vendin. Gjithsesi, ai tha se Shqipëria ka akoma kapacitete për të shfrytëzuar.
Gjatë vizitës në ambientet e këtij universiteti, kreu i Kuvendit, Ilir Meta uroi stafin pedagogjik me rastin e 7 Marsit.