TIRANE- "Burrat që qëndrojnë në "facebook" dhe shajnë luftën e shenjtë në Siri, nuk janë burra por lepuj". Kështu u drejtohet dëgjuesve të tij Genci Balla ose siç njihet ndryshe me emrin Abdurrahim Balla.
Për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ky person është organizatori i rekrutimit të mbi 50 personave, stërvitjen e tyre nga ana ushtarake dhe më pas dërgimin nëpërmjet disa personave të tjerë të grupit, me bazë veprimi në Shqipëri dhe Turqi, në betejat e përgjakshme të Sirisë.
"Shqiptarja.com" ka zbuluar disa video të publikuara në internet nga Genci Balla, duke bërë propogandën e luftës së Sirisë dhe sharë njerëzit që e komentojnë dhe kundërshtojnë këtë luftë xhihadiste në rrjetet sociale, televizione dhe vende të ndryshme. Videoja nuk përmban pamje filmike, por është vetëm me foton e Osama bin Laden dhe një luftëtari sirian. Ndërkohë është hedhur në internet me: "Abdurrahim Balla: Fitnet në Siri". Kjo video propagandistike dhe shumë materiale të tjera, si CD, libra dhe materiale të tjera me thirrje terroriste janë administruar në dosjen e prokurorisë.
Ushtria e "Tagutit"
Në videon ku dëgjohet vetëm zëri i Abdurrahim Ballës, tregohet që në hyrje të fjalimit, se të pranishmit do të njiheshin me situatën në Siri. Sipas Abdurrahim Ballës, në këtë shtet po bëhet një luftë e shenjtë mes dy ushtrive, ushtrisë së lirë dhe ushtrisë së "Tagutit", duke nënkuptuar forcat Ushtarake të Assadit. Në video, Balla bënte thirrje që çdo besimtar të shkonte në këtë luftë të shenjtë për të vendosur dhe krijuar shtetin islamik. Ndërkohë spekulantët i quan frikacakë dhe ja ka lënë në dorë Allahut për t'i dënuar. Sipas ligjëratës së Abdurrahim Ballës, luftëtarët shqiptarë që shkojnë në Siri bashkë me gra dhe me fëmijë, luftojnë vetëm për Allahun dhe jo për privilegje financiare.
Ndërsa Medi Manallari me anë të një video nga Siria, e cila deri para pak javësh mendohej se ishte kryer në Kavajë, u bën thirrje myslimanëve t'i bashkohen luftës së xhihadit në Siri, duke treguar shëmbullin e tij si një 70-vjeçar që lufton për luftën e shenjtë. Sipas prokurorisë, janë 70 persona që janë rekrutuar nga rrjeti që drejtohej nga dy imamët Genci Balla dhe Bujar Hysa.
Teuhidi.com
Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë se grupi terrorist, administronte disa faqe interneti ku shpërndante propogandën dhe rekrutonte persona të ndryshëm për të luftuar në Siri. Njëra nga këto faqe është dhe "Teuhidi.com" ku postoheshin ligjërata islamike dhe ishin publikuar disa persona të tjerë. Në faqe ndodhen të publikuara dhe shumë libra, mes të cilëve dhe ai i sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda "Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera".
Personat në kërkim
Gerti Pashja, vjeç 30 Organizator
Shkëlzen Dumani, vjeç 39 Financues
Shyqyri Kaca Organizator
Almir Daci Pjesëmarrës
Medi Manallari pjesëmarrës