Brenda muajit mars do të prezantohet paketa fiskale për fasonët. Lajmi bëhet i ditur nga kryeminsitri Edi Rama i cili tha se, po përgatitet një paketë të plotë për industrinë fasone pasi ka një tipar që zhvillohet shpejt dhe krijon shpejt vende pune. Kryeminisitri Rama bashkë me ministrin Erjon Veliaj ishin të pranishëm në inaugurimin e zyrës së Punës në Kavajë.
Duke folur në ceremoni, kryeministri Edi Rama falënderoi mbështetjen e pakufishme të kreut të bashkisë së Kavajës dhe deputetit të zonës. "Falë mbështetjes dhe iniciativës së kreut të bashkisë dhe deputetit të Kavajës që kaluan përtej planit të paraparë nga ministria dhe mundësuan me ndihmën e biznesit për çeljen në kohë rekord të kësaj zyre", tha Rama.
Sipas kryeministrit, "nuk është më surprizë për ne që drejtuesit politik në Kavajë janë pararojë e përpjekjeve për të përmirësuar komunitetin dhe hapjen e vendeve të punës. Të gjitha zyrat e punës po ndërtohen dhe po çelen njëra pas tjetrës sipas planit dhe afateve të parashikuar".
"Këtu në Kavajë është një ditë e shënuar, pasi jemi të gjithë të vetëdijshëm për papunësinë që e gërryen. Ka nevojë për punë dhe sapo krijohen mundësitë e reja, komuniteti dhe njerëzit që kanë nevojë për punë i shfrytëzojnë", theksoi gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama.