VAU I DEJES- Janë vendosur në qytezën e Laçit të Vaut të Dejës, pasi shtëpitë e tokat ua mori liqeni i hidrocentralit, por akoma sot jetojnë në kapanone me çati prej eterniti. Janë mbi 200 familjeve te lagjeve "Lisen" dhe "Kinoklub" të cilët në vitin 1965- 1970 u detyruan të largoheshin duke lënë pronën, pasi ato do t'i zinte liqeni i hidrocentralit të Vaut të Dejës.
Largimi i tyre u bë pa i pyetur nga shteti i atëhershëm, ndërsa me ta u popullua një pjesë e qytezës së Laçit të Vaut të Dejës, ku ata u vendosen në kapanonet me tulla, pa suvatim, që si mbulesë kishin eternit. Por ndërsa vitet kaluan, as shteti i atëhershëm dhe as ai i pas 1990-s nuk i kompensoi për shtëpitë e tokat që ua zuri liqeni i hidrocentralit të parë mbi lumin Drin.
"Kjo është lagja e Lisen-it, ku kemi ardhur në 10 shtator të 1971-shit. Na ka sjellë partia e punës që kur është bërë hidroçentrali. Ajo s'na jepte të drejtat e tokës atë kohë, por tani që ka ardhur demokracia, nuk kemi marrë asnjë tokë.-u shpreh një banore e lagjes Lisen.
Ndërsa vitet kalojnë, këta banorë shprehen se nuk kanë shpresë se ndonjë qeveri do t'i japë zgjidhje këtij problemi, ose t'u krijojë mundësi me kredi pa interes apo duke i kompensuar për pronat e humbura, që të vendosen diku apo të ndërtojnë shtëpi normale.