Edhe 13 vite pas krisjes së pushkës së parë në Kalanë e Tetovës, kryetari i Senatit të USHT-së asokohe, Milaim Fejziu e kujton si sot atë ditë. Ai edhe sot ndjehet krenarë që vu në mbrojtje të ushtarëve të UÇK-së të cilët etiketoheshin si terroristë. Fejziu edhe sot shprehet i prerë se ata janë bijtë e popullit. Krismat e 14 marsit të 2001, në kalanë e Tetovës nuk tronditën vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë dhe më gjërë.
"Sikur sot më kujtohet ajo ngjarje, në fakt protesta që u organizua kishte për qëllim që të shpall UÇK-në publikisht si Ushtri Çlirimtare në Maqedoni. Natyrisht që i parapriu një parapërgatitje edhe pse momentet e fundit u ballafaquam me një anti-propagandë po edhe me kërcënime se atë ditë mund të ndodh një masakër e madhe në sheshin e Tetovës. Kërcënimet vinin nga disa anë edhe nga pala maqedonase, pala shtetërore, qeveritare por edhe nga disa subjekte shqiptare. Megjithatë ne ishim të vendosur për ta mbajtur atë protestë për ta legjitimuar UÇK-në", u shpreh Milaim Fejziu, ish kryetar i Senantit të USHT-së.
14 marsin e përkujton edhe Lulzim Islami, i njohur si Komandant Luli.
"Me sa më kujtohet mua kanë qenë 11:30, për afërsisht dhe luftimet kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes. Ka pasur katër pozicione vetëm në kala, katër pozicione kyçe të pozicionuar të ushtarëve të UÇK-së. .. Luftimet kanë zgjatur deri në orët e vonshme të mbrëmjes, do të thotë kjo është ajo dita e parë e luftimeve në Kala. Nuk është kënaqësi të vrasësh njerëz, nuk është kënaqësi ti drejtosh pushkën dikujt, mirëpo kur atë e thërret atdheu dhe populli është një krenari shumë e madhe", tha Lulzim Islami, komandant Luli.
Kjo datë tanimë tradicionalisht kremtohet nën moton 'Pranvera e dinjitetit', në fshatin Sellcë. Edhe në manifestimin e sotëm u fol për të luftën e UCK-së e cila sipas pjesëmarrësve ka ndryshuar statustin juridiko kushtetues të shqiptarëve të Maqedonisë. Bedri Rexhallari