TIRANË- Është hapur në hollin e Kryeministrisë ekspozita "Takim botësh" kushtuar periudhës së Princ Vidit. Ashtu siç tregoi Artan Lame, një prej personave që është përkujdesur për përgatitjen e kësaj ekspozite, ajo është mbushur me fotografi dhe objekte autentike historike të periudhës së Princ Vidit.
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo ekspozitë të natyrës historike do të pasohet me të tjera. Kryeministri Rama tha se gjatë historisë ka shumë detaje që janë fshehur dhe kjo ekspozitë është një mundësi e mirë për hedhjen dritë edhe për fakte të panjohura të historisë tonë.
"Stereotipet e dikurshme vazhdojnë ta shënojnë Shqipërisë si atëherë si një vend aspak elegant përball sqimës së Princit apo për të fshehur detaje të saj. Që sot kjo ekspozitë do të hedh dritë mbi detaje të historisë"-tha ai.
Gjithashtu, Rama tha se godina e Kryeministrisë duhet të përdoret përveç se për çështje politike edhe për promovimin e arit dhe të kulturës së vendit tonë.
"Unë jam shumë i kënaqur që në fund të kësaj dite që lajmëron një stinë e re, verën e re, një kohë të re, ne hapëm këtë derë për të mos e mbyllur me këtë ekspozitë por për të hapur dhe për të prezantuar gjëra me vlerë që meritojnë vëmendje dhe respekt, pse jo edhe autoritetin e kësaj godine, që sot fatkeqësisht përqendrohet në çështje politik dhe jo në artë, kulturë", u shpreh kryeministri.
"Kjo është vetëm e para e një rrugë të hapur mes nesh këtu në këtë godinë dhe jashtë kësaj",- tha Rama.
Në çeljen e ekspozitës ishin të pranishëm deputetë, personalitete dhe diplomatë.