UKRAINË - Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës Arseni Yatseniuk, pas kthimit të tij nga një vizitë në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shpreh se pati një takim me Presidentin e Këshillit Europian Herman Van Rompuy.
Yatseniuk shpjegoi se kanë rënë dakort që pjesa politike e marrëveshjes së asociimit mes Ukrainës dhe Bashkimit Europian duhet të firmoset gjatë Samitit të 21 Marsit, që do të zhvillohet në Bruksel. Ndërsa pjesa ekonomike e kësaj marrëveshje do të firmoset më vonë.
Kjo ishte deklaruar edhe më herët nga kancelarja Angela Merkel gjatë një konference për shtyp me Kryeministrin polak Donald Tusk, në Varshavë.
Mungesa e firmosjes së kësaj marrëveshje me Bashkimin Europian në muajin nëntor të vitit të kaluar, bëri që Ukraina të përfshihet në një revoltë anti-qeveritare, që në 3 muaj shkaktoi të vdekur dhe të plagosur. Gjithashtu nga këto protesta erdhi edhe shkarkimi i ish-Presidentit ukrainas Viktor Yanukovich.
Ndërkohë, gjendja në Ukrainë mbetet e tensionuar, ditën e premte janë verifikuar 2 viktima dhe 5 të plagosur. Sipas informacioneve disa protestues pro-Moskës u mblodhën në Sheshin Svoboda, të armatosur me shkopinj dhe tentuan të hynin pranë një ndërtese ku gjendet një grup i ekstremit të djathtë. Të dy personat humbën jetën përpara mbërritjes së policisë e cila u kundërpërgjigj duke hapur zjarr.