TIRANE- Kërkesa e deputetit të Partisë Socialiste Piro Lutaj për të bërë një kontroll në Shërbimin Informativ Shtetëror pritet që të sjellë edhe një ankimim të Partisë Demokratike në Gjykatën Kushtetuese.
Pasi pritet që kryetari i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, të aprovojë kërkesën e Lutajt për të ngritur një grup prej pesë parlamentarësh për të ushtruar kontrollin në SHISH, që do të pasohej nga ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Demokratike.
Burime nga selia blu bënë me dije se, nëse kreu i komisionit, Spartak Braho, do të aprovojë kërkesën për të ushtruar këtë kontroll, PD do t'i drejtohet Kushtetueses për të ankimuar këtë vendim.
Argumenti kryesor se përse demokratët do t'i drejtohen kësaj gjykate për këtë vendim, pritet që të jetë fakti se Kuvendi ka miratuar një ligj, i cili ka parashikuar ngritjen e një nënkomisioni për të kontrolluar institucionet e sigurisë kombëtare, përfshirë këtu edhe SHISH. Por ky argument i tyre pritet që të rrëzohet, pasi ky nënkomision nuk u aprovua asnjëherë nga ana e Kuvendit duke qenë se u shty për shkak se vendi u fut në fushatë zgjedhore.
Konkretisht, në muajin prill të vitit që lamë pas, Komisioni i Sigurisë Kombëtare, i drejtuar atëherë nga ish-deputeti Leonard Demi, mori në shqyrtim një draft, i cili parashikonte ngritjen e një nënkomisioni i cili do të bënte mbikëqyrjen e të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, por mbeti në mes për shkak se mandati i Kuvendit mbaroi pasi filloi fushata zgjedhore. Kështu që pritet që të vijë edhe një refuzim nga Kushtetuesja për këtë ankimim.
Partia Demokratike e cilëson kërkesën, e bërë nga Sekretari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Pirro Lutaj, në frymën e sulmeve që mazhoranca ka nisur ndaj institucioneve të pavarura, ndërkohë që kjo nismë cilësohet si e njëjtë me rastin e ish-kreut të ILDKP-së Zana Xhuka.
Ankimimi i bërë nga Kushtetuesja në rastin e Xhukës u rrëzua nga Gjykata, me argumentin se nuk është kompetencë e saj të marrë në shqyrtim një çështje të tillë, duke e cilësuar si një marrëdhënie që duhet rregulluar brenda Kuvendit.
Në këto kushte, edhe një ankimim i bërë në këtë gjykatë në rastin e SHISH, sërish mund të marrë të njëjtën përgjigje në Gjykatë.