Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka ripërsëritur nga Kërçova qëndrimin e tij, se ka ardhur koha që njëri nga 3 pozitat kyçe në vend, kryeministri, presidenti ose kryetari i kuvendit tu takojë shqiptarëve. Kështu, sipas Ahmetit, karakteri multietnik i shtetit do të reflektohej edhe në vetë postet më të larta shtetërore. Me këtë qëndrim, siç thotë Ahmeti, BDI-ja demonstron fuqinë e shqiptarëve të Maqedonisë dhe vendosmërinë e tyre për bashkëqeverisjen e vendit.
"Vetëm maqedonas duhet të jenë kryeministër, kryetar parlamenti, funksione me përgjegjësi morale, politike në vend? Pse shqiptarët nuk janë bartës të këtij sovraniteti? Pse shqiptarët nuk janë përgjegjës për këtë shtet? Sigurisht që janë, dhe ne duam të demonstrojmë fuqinë tonë, që ky vend është edhe i yni. Që ky vend nuk i takon vetëm një pale, as një ane, por u takon të gjithëve", deklaroi Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër, me qëndrim krejt ndryshe nga ai i BDI-së, madje edhe me kritika direkte ndaj Ahmetit, doli kryeministri Nikolla Gruevski në mitingun në Ohër. Sipas tij, BDI-ja është kundër Ivanovit sepse ai nuk bën kompromise kur behet fjale për interesat e popullit maqedonas. Me çka edhe njëherë beri te qarte se ai do të jetë president vetëm i maqedonaseve duke mos përfillur as shqiptarët e as përfaqësuesit e etniteteve tjera që jetojnë në Maqedoni.
"Njeri i tillë nuk i përshtatet gjithkujt, nuk i përshtatet BDI-së. Ivanovi nuk i përshtatet BDI-së. E dini pse nuk iu konvenon që përsëri të jetë president? Presidenti Ivanov nuk bën kompromise kur bëhet fjalë për interesat e popullit maqedonas, jo për shkak se nuk ka qenë kandidat konsensual", u shpreh Nikolla Gruevski, Kryeministër.
Ahmeti ka përsëritur gjithashtu se BDI-ja nuk do të heq dorë nga ideja e saj për president të pranueshëm nga të gjitha bashkësitë etnike, dhe të ndërpritet praktika e presidentëve të njëanshëm partiak dhe etnik.
"Ne qëndrojmë pranë idesë, pranë filozofisë që këtij vendi i duhet një president i pranueshëm nga të gjithë. Kur thuhet nga të gjithë, ka edhe nga ata analistë që thonë po nuk mund të ulen në tavolinë 100 e sa parti dhe të arrihet marrëveshje. Jo, edhe kjo ka zgjidhje. Ulen në tavolinë ato subjekte që kanë legjitimitetin e shumicës së qytetarëve", tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Ndryshe Gruevski nga Ohri përsëriti se nuk do të lejojë që kryesia e BDI-së të zgjedh presidentin dhe tu merr këtë të drejtë qytetarëve të Maqedonisë. Benjamin Arifi