FUSHË-KRUJË- Qyteti i Fushë Krujës tronditet sërish nga një shpërthim me lëndë eksplozivi.
Këtë herë shënjestër ishte makina e një efektivi të policisë i cili më përpara mbante edhe postin e shoferit të disa shefave që kanë drejtuar këtë komisariat.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, 26 mars 2014 në oborrin e shtëpisë së efektivit të policisë Dilaver Boga, në fshatin Halil të Fushë Krujës.
Nga të dhënat e para mësohet se Boga pak kohë pasi ishte kthyer nga shërbimi në komisariat dhe kishte parkuar makinën në oborrin e shtëpisë.
Dyshohet se makinës i është vendosur tritol. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit dhe identifikimin e autorëve. Pista e hetimit është ajo për shkak të detyrës.